|

Granit Zela/ Lexuesi: unë diktator?

lexuesi-diktatorMiti dhe uni

Kërkohet vdekja e autorit. Por autori është i prirur gjithmonë të mos bindet. Jo vetëm kaq, ai reagon, kërcënon, sulmon, bëhet i dhunshëm dhe gjithë këtë e arrin me praninë e tij. Mirëpo mosqenia e tij në kësi rastesh, do të na qartësonte shumëçka dhe do të na bënte të këqyrim kthjellët atë që duhet të jetë gjithmonë, veprën. Po pikërisht, meqë ai është subjekti dhe vepra objekti, autori tregohet subjektiv, duke u përpjekur gjithmonë të nxjerrë në plan të parë veten dhe të lërë në plan të dytë veprën. Uni i tij është torturues, një lloj demoni po aq i pakuptimtë, sa cytësi i krijimit, porse tash ai i kalon kufijtë duke dashur të bëjë gjithmonë mitin e emrit apo imazhit të tij. Mistifikimi zë fill këtu. Autori thotë se ai është vepra, e vërteta, çelësi i zbërthimit të saj. Kjo ide grishëse e gjithë po aq ledhatare, e bën të besojë se miti do ta bëjë të pavdekshëm, pasi e mundon ideja e kësaj mungese. Është në natyrën e njeriut të kërkojë pavdekësinë. Jeta dhe vdekja, qenia dhe mosqenia, janë dikotomitë ekzistenciale të njeriut.

Vepra u krye! Por jo, është e vështirë që autori të mos dalë në skenë. Ai mbolli, andaj dhe do të korrë. Egoja thotë pafundësisht fjalën “Unë”. Marrëdhënia subjekt (autor) – objekt (vepër), mendje (autor) – trup (vepër) nuk është e drejtë. Kësisoj, për ta bërë më të besueshëm këtë gënjim, autori shkruan më së shumti për jetën e vet ose krijon duke e trilluar atë.. Jeton si në vepër. Kufijtë zhduken. Gracka ngrihet. Kritiku harron se shpjegimi që jep autori s’është gjë tjetër veçse një nga shpjegimet e pafundta, të cilat mund t’i jepen një vepre. Kritiku sugjestionohet nga prania e tij.

Por le të hidhemi në një terren më konkret. Autori shqiptar pjesën dërrmuese të veprës së vet e ka bërë nisur nga qëllimi utilitarist për t’i shërbyer diçkaje, qoftë kjo edhe një ide, si atdheu, gjuha, qenësia kolektive, ideologjia, doktrina, etnia etj. Roland Barthes kërkon vdekjen e autorit. Po kështu edhe Flaubert. Mirëpo autori shqiptar është mësuar të jetë aktivist shoqëror. Zëdhënës i kombit të tij. Autor dhe mandej: luftëtar, prijës kryengritjesh, pasha, i burgosur, liberator, i helmuar, i varur, censor dhe i censuruar, persekutor dhe i persekutuar, ministër, këshilltar presidentësh, ambasador i monarkisë dhe i republikës, pasunar e varfanjak, antifashist, antikomunist, profashist e prokomunist, cinik, agresiv, paqësor, shpërfillës i pakënaqur, ateist e përçues i religjionit, i hyjnizuar, i anatemuar, azilant, i braktisur, orator turmash, legjendë e gjallë, anonim i pavlerësuar kurrë në gjallje të vet, deputet, i papunë, i alkoolizuar, tregtar, gazetar, këngëtar, prift, hoxhë, autor që letrarizon jetën e vet, i keqkuptuar, pafundësisht i keqkuptuar. Ai i ngre kult vetes, jetës së tij. Në periudhën socrealiste autori u njësua me doktrinën.

Shtysa historike

Në letërsinë shqipe ekziston një listë e kobshme, lista e shkrimtarëve dhe artistëve të arrestuar, burgosur, torturuar, internuar, përndjekur, helmuar dhe gjer të pushkatuar në kohën e regjimit komunist. Kundërvënia e shkrimtarëve shqiptarë ndaj pushtetit ngjan me gojëdhënat ballkanike, një kundërvënie rebele ndaj dhunës së një historie të mbrapshtë. Thirrja shtangëse e Lame Kodrës, i cili bërtiste si i çmendur për shpëtimin e bibliotekës së tij ndërsa flakët i përfshinin shtëpinë duke i djegur dorëshkrimet, është një shembullzim i saktë i tragjizmit dhe përmasës mitike të shkrimtarëve shqiptarë.

Kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve u internua në Ballsh, më vonë në Fier, ku vdiq. Dom Ndoc Nikaj, nismëtari i romanit shqip vuajti burgjet e internimet. U torturuan dhe u pushkatuan shkrimtarë klerikë të veriut, si Dom Ndre Zadeja, At Anton Harapi, Dom Lazër Shantoja, At Vinçenc Prenushi, At Bernandin Palaj. Në vitin 1963 u pushkatua poeti disident Trifon Xhagjika i cili recitoi para trupit gjykues poezinë Atdheu është lakuriq. Faik Ballanca vrau veten më 1978. Bilal Xhaferri u detyrua të arratisej nga atdheu dhe vdiq në mërgim , në Amerikë, në një mënyrë të cilësuar si vdekje e dyshimtë. Në vitin 1977 u pushkatuan poetët e rinj Vilson Blloshmi e Genc Leka. Sikurse u ndalua besimi në Zot dhe leximi i librave të shenjtë, u ndalua edhe leximi i librave të Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Martin Camajt, Ernest Koliqit, Kasëm Trebeshinës, Visar Zhitit etj. Mërgimi i Ismail Kadaresë në vitet ’90 drejt purgatorit parizien ngjante me një ikje të përkohshme prej ferrit. Në një libër të botuar tash së voni rreth dyzet shkrimtarë, publicistë dhe intelektualë kanë shkruar për aktin barbar të varjes së poetit kuksian Havzi Nelaj në mes të sheshit të qytetit. Para se të arratisej, ai la një shënim në një degë lajthie si një lloj testamenti dhe pengu shpirtëror, i cili shembullzon tragjizmin e shkrimtarëve shqiptarë përballë atdheut: “Lamtumirë, atdhe i dashur, po të lë me zemër të plasun.”

Tradita tregon se autori shqiptar pa dashur është bërë aktivist i jetës shoqërore. Po ta këqyrim të shkruarit në letërsinë shqipe sipas optikës orëelliane duke iu referuar katër arsyeve madhore të cilat ai mendon se pse shkruhet: 1. Egoizmi i mirëfilltë 2. Entuziazmi estetik 3. Shtysa historike 4. Qëllimi politik, ajo që mbizotëron në letërsinë shqipe dhe, sigurisht pa përjashtuar askurrnjërën prej tyre ose të gjitha bashkë me arsye të tjera, mund të thuhet se është shtysa historike. Kjo është kushtëzuar gjithëhershëm nga “dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për ta ndryshuar idenë e njerëzve mbi llojin e shoqërisë, për të cilën ata duhet të rropaten”.

Një seri librash të botuara në Britaninë e madhe me titull Shkrimtarët dhe politika, merret më së shumti me vlerat letrare dhe në ndonjë rast me shqyrtimin e ideve politike në vepra të ndryshme letrare ose me vlerësimin e mënyrave si partitë dhe lëvizjet politike kanë kontrolluar dhe përdorur për interesa të tyre shkrimtarët dhe intelektualët, të cilët shpallnin bindjet e tyre politike, duke përshëndetur atë aradhë kritikësh që e kanë zhvendosur vëmendjen nga çfarë thonë idetë tek si shprehen ato. Mirëpo jeta e një shkrimtari shqiptar i kalon caqet e një shkrimtari të shquar. Habia që të ngjall ai është më së shumti historike e biografike.

Kritika dhe vepra

Nëse Gerad Genette e konsideron letërsinë si art të ligjërimit artistik, kritika ngjan të jetë një gjykim i arsyetuar i këtij ligjërimi. Këtë arsyetim gjejmë edhe te Kohëtore e Letrave Shqipe nga Konica në artikullin Ç’është kritika letrare?, ku thotë se kritika është “një gjykim i vlerës së librave, gjykim i gatitur me dëftime e me shpikje e i sjellë si një rrjedhë e pritur, jo i hedhur si një urdhër mozori…”

Kritiku duhet të jetë i pëgatitur për t’u përballur me veprën më së pari në lëmin teorik. Duhen pasur një herë instrumentët për të vendosur mandej se si e qysh duhen përdorur. Përvoja e sotme tregon se ekziston një prurje e madhe shkrimore, ndoshta deri diku edhe për shkak të asaj që thoshte Arshi Pipa kur fliste për një kritikë letare: “I riu asht porsi prroni që don me shfrye dikund, e zakonisht shfren aty ku ka ma pak pengesa, rasën tonë, medet! Në lamën e leteratyrës. Nuk asht gjà ma e natyrshme se me e çlirue zemrën nga pasionet e para në nji copë letër!” Pra, lipset të zotërohen konceptet estetike, shumica e qasjeve metodologjike për të dekoruar shkrimin.

Sa i përket shumësisë së qasjeve kritike ndaj fiksionit, J.Howthorn vëren se ajo mund të jetë: 1.Qasje tekstore 2.Qasje e përgjithshme. 3.Qasje kontekstuale 4.Qasje biografike 5.Qasje psikologjike 6.Qasje e drejtuar kah lexuesi 7.Qasje feministe. Sipas tij lëvizjet kritike të quajtura me termat strukturaliste, post-strukturaliste dhe dekonstruktuese, të cilat kanë fituar emër si edhe të gjitha qasjet e përvijuara më sipër, mund të ndërthuren nga kritiku, por jo në të gjitha rastet, ngase në disa syresh ka kundërshti mes tyre. Tjetër ndryshe John Hopkins parapëlqen të bëjë një inventar pyetjesh kritike, që një kritik duhet të ngrejë përballë pjesëve të një teksti të plotë, të cilat janë: Ontologjike, epistemologjike, teologjike, origjinare, përshkruese, interpretuese, normative, historike (a) analitike, (b) organike, narrative, kulturore, psikologjike, gjenetike, afektive, vlerësuese, metakritike.

Rreziku është se kritku mund t’i shohë veprat si shembullzime të teorive të tij ose nis të flasë për veprën duke përfunduar të flasë për veten. Rreziqet që i kanosen kritikut janë të shumta mes tyre: epigonizmi, diletantizmi, plagjiarizmi, penegjirizmi, tautologjia etj. etj. Sikur një kritik të kishte në studion e tij tërë librat e botuar në kohën e vet dhe t’i kishte lexuar të gjitha ato, për të dhënë gjykimin e tij, besoj se nuk do të kalonte shumë kohë që të kuptonte se pëveç të tjerave, duhet edhe talent. Kritiku bën mirë të mbajë parasysh thënien e të urtit se “ato që di ruaji me anë të studimeve, kurse ato që nuk i ke mësuar, përpiqu t’i mësosh me anë të kërkimit metodik shkencor”.

Çka është nyjëtuar vazhdimisht gjatë këtyre viteve në lidhje me kritikën është se ajo vetë është në gjendje kritike. Pas ’90-ës kritika shqiptare u ndodh para një sfide të shumëfishtë: rivlerësimi i krejtshëm diakronik i traditës letrare shqipe, vlerësimi sinkronik i letërsisë bashkëkohore që shkruhet në të gjitha qendrat kulturore shqipe, si dhe çka është më e rëndësishme, shndërrimi dhe modernizimi i aparatit të vet, gjë që nuk mund të bëhej brenda një dite. Për më tepër sot ajo është përballë trysnisë së boom-it kaotik të botimeve, shtëpive botuese, shtypit kulturor të kontrolluar nga botuesit dhe konkurrencës mes tyre, ashtu sikurse nga mediokriteti që nuk përfill cilësinë, por censurën e pragmatizmit të përditshëm.

Lexuesi si lexues

Janë të shumtë shkrimtarët, që e vuajnë mungesën e lexuesve. Por edhe pse këta lexues nuk kanë qenë dishepuj të tyre, kurrë nuk do të refuzonin praninë e këtyre autorëve.

Carlos Fuentes shenjon dy mënyra, që e ftojnë lexuesin të marrë pjesë në një vepër letrare: njëra është bestselleri, që nënkupton një lexues të dallueshëm, shijet e paragjykimet e të cilit autori i njeh që më parë, gjë që i lejon atij të sajojë sipas recetës një lloj gjelle komerciale. Në këtë rast lexuesi nuk lexon, ai vetëm konsumon. Ky lloj lexuesi gëlltit gjithfarë librash, manipulohet prej kulturës masive dhe modës së saj, e cila sipas Nabokovit është “një ndikim kalimtar, epidemi idesh, sulm banalitetesh, që magjeps masat”.

Letërsia që i ofron lexuesit atë çfarë ai do, është quajtur “art masiv”, “art zbavitës”, “art tregu” – diçka e lidhur ngushtë me qëllimet e tij. Bash kjo lloj letërsie ushtron trysni dhe censurë, ngase e sheh librin vetëm si mall për t’u konsumuar e shitur dhe jo si vlerë. Tanimë edhe shkrimtarët tanë ndodhen përballë kësaj censure të tjetërllojtë – censurës së tregut. William Saroyan, shkrimtar amerikan i mirënjohur në mbarë botën, e refuzoi çmimin Pulitzer me arsyen se “tregu nuk duhet të jetë padron i artit”, duke refuzuar kësisoj lexuesin e një arti të tillë.

Mënyra tjetër ka të bëjë me kërkimin e një lexuesi, i cili ende nuk ekziston, një lexues që duhet të formohet dhe zbulohet gjatë leximit. Duhet dhe lexuesi dhe vepra të takohen. Sepse lexuesi e vepra krijojnë njëri-tjetrin. Asgjàmangut, publikut duhet t’i mësohet zeja e të lexuarit. Kështu mendon R. Scholes: “Është në intersin e kombit për të edukuar te qytetarët zejen e të lexuarit. Zejen, jo artin. Arti është unik, nuk mund ta mësosh. Zeja është e zakonshme, mund të mësohet.” Lexuesi i zakonshëm është dembel, hipokrit dhe sipërfaqësor, po aq diktator sa autori. Ai e sheh autorin si mishërim të shijes së tij, që ndërron me ndërrimin e stinëve.

Mirëpo lexuesi ynë është krijuar nga autori dhe nga kritika, ai është pjellë e tyre. Krijimi i gjithësejt letrar ç’prej librit më të parë shqip e përkëtej gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, u kalua nëpër filtrin e jashtëmendshëm ideologjik, duke formësuar një përfytyrim të panjëmendët mbi rrjedhat shkrimore. Kjo humnerë e mungesës së komunikimit me vlera të qëndrueshme e të patjetërsueshme që ekzistonte dhe ekziston sot e gjithë ditën në hapësirën gjithëshqiptare, me çka kuptojmë më së pari hapësirën gjuhësore, arriti të krijojë një lexues me shije dhe perceptim të gjymtuar. Shtimi i komunikimeve ndërkulturore, të cilat do të rriten me një ritëm gjithnjë e më të madh, do të sjellë para autorit shqiptar një lexues të tjetërllojtë, ndërsa vepra e tij do të përballet me tregjet europiane, duke na ndërmendur kohën e botimit të veprave të autorëve të letërsisë së vjetër shqipe në latinisht.

Letrat shqipe tash e tutje po shkojnë kah koha e përqasjes me letrat europiane dhe më tej në një treg të përbashkët kulturor, që do të ripërmasojë thellësisht edhe konceptin e letërsisë. Vetëm se ky fakt na grish të ndërmendim vlerësimin e shprehur nga kritika se, pas viteve ’90, letërsia shqipe ka hyrë në fazën më interesante të saj. Ndoshta kjo ngaqë krijuesi socrealist e pa se sa i lehtë dhe i përkohshëm është autori, ideologjitë dhe ajmé! lavdia jashtëletrare. Këtë mund ta bëjë vetëm TEKSTI (textum) si habi estetike.

Short URL: http://letrashqip.altervista.org/?p=1392

Posted by on Apr 4 2015. Filed under Auditor, Letra. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Leave a Reply

Recently Commented

  • MyThemeShop: Author comment test. Experts have done special research on the topic and estimate that at least 65% of...
  • Matt: Anonymous person pretending to be Matt.
  • Lloyd Budd: Author comment. Header one Header two Header three Header four Header five Header six Blockquote Tests...
  • Alex Shiels: Contrary to popular belief, Lorem Ipsum is not simply random text. It has roots in a piece of classical...
  • Joseph Scott: Nulla sagittis convallis arcu. Sed sed nunc. Curabitur consequat. Quisque metus enim, venenatis...